Historia e panjohur: Si u vra Elez Isufi bashkë me të nipin nga serbët, pasi nuk e blenë dot (u tradhtua nga vetë shqiptarët)

In op/ed

Ku ishin kryengritjet, atje ishte Elez Isufi Ndreu. Kështu ndodhi në mars të vitit 1912 kundër serbëve në Malësinë e Dibrës. Kështu ndodhi në nëntor të vitit 1912 po kundër serbëve. Kështu ndodhi në dhjetor 1915 me ushtrinë serbe, e cila arriti deri në Durrës.

Kështu ndodhi dhe në gusht të vitit 1920 po kundër  ushtrisë serbe që dërgoi Beogradi për ta eliminuar atë dhe mbështetësit e tij.

Kështu ndodhi në 1921 kur mercenarë bjellorusë në ushtrinë serbe tentuan ta vrisnin.

Në mars 1922 Elez Isufi organzoi kryengritjen e parë me armë ndaj qeverisë shqiptare. Të gjitha betejat i kishte bërë ballë për ballë, deri më 16 dhjetor 1924 në orën 11.00, kur vetë Elez Isufi mbeti i vrarë pas shpine.

Qe një plagosje që i shkaktoi vdekjen 14 ditë më vonë. Në orën 01.00 të 30 dhjetorit të atij viti ai ndërroi jetë i dergjur në shtratin e tij në kullë.

SKENA E VRASJES

Edhe pse nuhatja dhe intuita ishte cilësia e tij më e mirë, Elez Isufit nuk i shkoi mendja në jetë se vdekja do t’i kishte ardhur nga një tradhti .

Ndodhej në kazermat e Ali Rizait në Peshkopi, kur kuptoi se ishte tradhtuar në momentin kur një batare pushkësh u drejtuan ndaj tij dhe nipit të vet Suf Xhelilit.

Duke u larguar nga kazerma i pari u qëllua dhe vdiq në vend Suf Xhelili, ndërsa Elez Isufi mori dy plumba në bark dhe u rrëzua në tokë.

Ashtu të plagosur e dërguan në kullën e vet, dhe aty pas dy javësh ndërroi jetë.

SI U ORGANIZUA VRASJA?

Momentin e vrasjes së Elez Isufit e ka treguar në kujtimet e tij historike bashkëkohësi Ismail Strazimiri, zëvendësprefekt i Dibrës.

“…zunë me ra si breshëri plumbat e kundërshtarëve n\oborr të kazermës, atëherë u çue Sul Xhelili dhe duel jashtë kthinës. Atë e ndoq mbasandej edhe Elez Isufi.

Suf Xhelili u vra tue zbrit nga nji mur i ulët i oborrit të kazermës, kurse Elez Isufi u plagos n’oborr. … Elez Isufi i

plagosun me dy plumba nën kërthizë, ndërroi jetë natën e 29-30 dhjetor 1924”.

Vrasja ishte tradhti e pastër. Këtë e konfirmon përsëri bashkëkohësi i vet, Strazimiri.

“Vrasja e tyne s’qe aksidentale apo e rasës. Ishte përgatit nergut dhe u krye prej njerëzve të shenjuem. Ndërkohë u vra Murat Qerrja dhe u plagos Nesim Ahmeti, Osman Musai, Mehmet Elezi të gjithë nga Dardha dhe besnikë t’Elezit”.

Ndonëse me nënkupton, këtë version e jep edhe vetë Elez Isufi pak momente përpara se të vdiste kur ndër fjalët e fundit tha:

“Nëse do t’i shpëtoj vdekjes, nuk do merrem më me njerëzit, por me kafshët”.

Por ka edhe një version, sipas të cilit vdekja e tij ishte më shumë një vullnet i vetë Elez Isufit.

Kur mësoi se i nipi, Suf Xhelili, ishte vrarë, ai nuk pranoi që mjeku t’i hiqte plumbat që kishte në trup, duke e shoqëruar me fjalët:

“Paska qenë e thënë që të iknim bashkë nga kjo botë”

Vargu i njerëzve që shkuan në varrimin e tij ishte nga më të gjatët që janë parë jo vetëm

në atë zonë.

NDERSHMËRIA E ELEZ ISUFIT

Pa shkollë, pa ndonjë kulturë dhe edukim ekstra, Elez Isufi megjithatë kishte disa cilësi natyre që e bënë të hynte në histori. Jo vetëm trimëria e tij është proverbiale, por kësaj cilësie ai i kishte shtuar edhe një tjetër, ndershmërinë.

I pari dëshmitar që flet për ndershmërinë dhe besën e tij është konsulli anglez në Shqipëri, Ayros, gjatë vizitës së marsit 1922, ku Elez Isufi dhe Ahmet Zogu besuan te njëri-tjetri, edhe pse ai ishte 60 vjeç dhe Ahmet Zogu 26 vjeç, vetëm me një shtrëngim duarsh.

Do të çuditej gjithashtu edhe një gjeneral serb që teksa i shkoi në kullë i bëri disa oferta në vlerë monetare vetëm që ai të mos kundërshtonte marrjen e disa tokave brenda kufirit shqiptar.

Elez Isufi shikonte aty pranë disa fëmijë dhe i tha gjeneralit serb:

“Shihni, zotni! Edhe me dashtë unë, plaku, me e tradhëtue Shqipninë, nuk më lane këta fëmijë”.

Ky ishte Elez Isufi, një plak që përfaqësonte cilësitë më të mira të shqiptarit patriot e që luftoi me zemër dhe shpirt për Shqipërinë, por që mbeti i vrarë për këtë Shqipëri nga shqiptarët që bashkëpunuan me të huajt.

10 fakte

1 Elez Isufi ishte një prijës çetash kryengritjesh nga fshati Sllovë i Dibrës kundër pushtimit serb

2 Elez Isufi ishte një njeri i paarsimuar, por me një zgjuarsi natyrore dhe me autoritet në familjen e vet, por edhe në të gjithë zonën e Dibrës

3 Elez Isufi ishte djali i Isuf Ndreut, njeriu simbol i rezistencës kundër pushtuesve serbë

4 Elez Isufi trashëgoi kullën e familjes Isufi, një minikështjellë e ndërtuar në tokat e familjes në Lisivalle të Dibrës, në vitin 1884

5 Gjatë pushtimit osman Elez Isufi ishte mbrojtës i pasurisë së të pasurve dhe pashallarëve të nënprefekturës së Rekës nga kusarët

6 Elez Isufi ishte i pasur pikërisht prej pagesave të mira që merrte për mbrojtjen që u bënte atyre nga grabitësit

7 Elez Isufi ka qenë disa herë drejtues i formacioneve fshatare të zonës, në mbështetje të disa lëvizjeve kundër qeverive të ndryshme në Shqipëri

8 Rasti më historik është ai i marsit 1922 që teksa sulmoi Tiranën me forcat që komandonte, e detyroi qeverinë të largohej në Elbasan

9 Vetëm besa që i dha Ahmet Zogut si ministër i Brendshëm solli paqen pas asaj lëvizjeje

10 Elez Isufi u dekorua më 28 janar 1916 nga perandori i Austro-Hungarisë Franc Jozefi me Kryqin e Konturës së Oficerëve

10 mistere

1.Përse Elez Isufi shkoi në kazermën e Ali Rizait në Peshkopi?

2 Përse Elez Isufi tentoi të largohej nga kazerma pas thirrjes së Suf Xhelilit se ishin të rrethuar?

3 Përse e cilësuan si triumf futjen në kazermë pas plagosjes së Elez Isufit, Fiqiri Dines, Hysni Demas, Sul Shehut dhe Aqif Lleshit?

4 Kush i mbështeteste ata që sulmuan Elez Isufin dhe Suf Xhelilin?

5 Cilët ishin ata që e ngritën kurthin ndaj tij dhe ata që e shoqëronin?

6 A ishte vrasja e tij tentativa e fundit e armiqve të Shqipërisë në bashkëpunim me ata shqiptarë për të eliminuar fizikisht atë që u prishte punë?

7 Kujt i interesonte më shumë vrasja e Elez Isufit?

8 Përse shoqëruesit e Elez Isufit ishin të paktë në numër, ndërkohë që kurdoherë ku kishte luftuar kishte pasur shumë mbështetës?

9 Përse figura e Elez Isufit është lënë në harresë nga historiografia jonë?

10 Përse për shumë e shumë vite nuk është kërkuar zbardhja reale e vrasjes së Elez Isufit?

*Marrë nga libri “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912-2017”./gazetatema.net/

You may also read!

Messi ka zaptuar “La Ligën”, të tjerët…thjesht luajnë në të

La Liga mbylli një ditë më parë edicionin e saj për sezonin 2017-2018, me verdiktet tashmë të zyrtarizuara: Barça

Read More...

Nacionalisti Sheshel përzihet edhe me politikanët shqiptarë në Maqedoni

Kryetari i Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshel, është shprehur kundër vizitës së paralajmëruar të kreut të Parlamentit të Maqedonisë Talat

Read More...

Çfarë ka ndodhur më 21 Maj, përgjatë historisë?

  Ngjarjet më të rëndësishme që kanë ndodhur më 21 Maj, ndër vite: 879 – Papa John VIII i jep

Read More...

Leave a reply:

Your email address will not be published.

Mobile Sliding Menu

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com