Kryeministri spanjoll e humbi betejën politike nga Kosova në Sofje, ai mori “një thikë pas shpine” edhe nga Serbia

In Lajme, Rajoni

Për Spanjën “problem” mbetet Kosova, ndërsa për Serbinë “me rëndësi” Bullgaria. Ky, së paku sipas mediave serbe, do të ishte shpjegimi i mungesës së kryeministrit spanjoll Mariano Rajoy me Samitin në Sofje, dhe prania e Serbisë në të njëjtën ngjarje.

Rajoy nuk dëshiron të jetë në një vend ku do të ishte e pranishme edhe Kosova. Nga ana tjetër, Serbia u përfaqësua nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sepse, siç tha ai, “Serbia nuk mund t’i fus një thikë pas shpine Bullgarisë”.

Ky zhvillim, pak a shumë, siç shkruan mediumi serb Blic.rs, përcjell Telegrafi, nuk është një surprizë, duke pasur parasysh se për mospjesëmarrjen e Spanjës është folur muaj më parë.

Si rezultat, doli që Serbia në Samitin e Sofjes të përfaqësohet nga presidenti Aleksandar Vuçiq, dhe se Spanja nga një zyrtar i nivelit më të ulët diplomatik.

Së paku siç është raportuar, në Samitin e Sofjes, kanë marrë pjesë pothuajse të gjithë udhëheqësit, me përjashtim të kryeministrit spanjoll Marian Rahoy, vend që është përfaqësuar nga ambasadori në Bruksel, Pablo Garcia.

Dhe nga kjo, siç thuhet më tej, gjithçka që ndodhi në periudhën e mëparshme, është e qartë se gjërat nuk ecën mirë dhe se Spanja mbrojti me vendosmëri qëndrimin e saj lidhur me mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Natyrisht, për interesin e tyre – Katalonjës.

Mesazhi dekurajues nga presidenti francez

Megjithatë, pavarësisht faktit se edhe pa prezencën e Spanjës, përfaqësues tjerë të BE-së kanë qenë prezent, nga Samiti i Sofjes kanë ardhur edhe mesazhe jo shumë inkurajuese për të ardhmen e afërt të Ballkanit Perëndimor.

Një i tillë ka ardhur nga presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili gjatë një prononcimi për gazetarë kishte tingëlluar skeptik.

“Ajo që kemi parë gjatë 15 viteve të fundit është një rrugë që ka dobësuar Evropën sa herë që mendojmë ta zgjerojmë atë. Dhe unë nuk mendoj që ne bëjmë një shërbim për vendet kandidate apo veten tonë duke pasur një mekanizëm që në njëfarë mënyre nuk ka më rregulla dhe vazhdon të lëvizë drejt zgjerimit më të madh”, ka thënë Macron për gazetarët në samitin e kryeqytetit bullgar Sofje.

“Unë jam në favor të ankorimit të Ballkanit në Evropë dhe të ecjes drejt Evropës. Por unë mendoj se ne duhet të shohim çdo zgjerim të ri me shumë kujdes dhe ashpërsi”, ka shtuar tutje Macron.

“Nuk jam në favor të lëvizjes drejt zgjerimit para se të kemi të gjithë sigurinë e nevojshme dhe para se të bëjmë një reformë reale për të lejuar një thellim dhe funksionim më të mirë të Bashkimit Evropian”.

Reuters: BE sytë kah Ballkani, por rruga do të jetë e vështirë!

Në të njëjtën linjë, edhe pse me pak më shumë optimizëm qëndron edhe një analizë e mediumit britanik “Reuters”, e bërë para fillimit të Samitit.

Sipas këtij mediumi, kur udhëheqësit e BE-së të fotografoheshin së bashku me homologët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që shpresojnë të bashkohen me bllokun, kryeministri spanjoll Mariano Rajoy nuk do të jetë prezent – në shenjë proteste.

Dhe kjo pamje, sipas këtij mediumi tregon gjithashtu se sa e vështirë do të jetë rruga e tyre për anëtarësim.

Dhe pavarësisht deklarimeve inkurajuese të presidentit francez, përfaqësuesit e lartë të Republikës së Kosovës, janë shprehur optimist nga takimi, për të mos thënë të ngazëllyer.

Madje, përveç presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e ka vlerësuar si bisedë shumë të mirë me presidentin francez, kryeministri Ramush Haradinaj – ndonëse takimi ishte “shpejt e shpejt” e ka vlerësuar si shumë të frytshëm.

“Në margjinat e Samitit të Sofjes, një takim i frytshëm me Presidentin francez, Emmanuel Macron, ku bashkë me presidentin Thaçi po e përfaqësojmë Kosovën. Franca në 20 vitet e fundit ka bërë shumë për Kosovën dhe tani, derisa po bëhemi gati për tu bashkuar me familjen europiane, ky raport duhet të thellohet më shumë në të gjitha fushat me synim të vetëm përmbushjen e kushteve dhe standardeve evropiane përgjatë procesit integrues. Kosovës nuk do t’i mungojë në asnjë rrethanë përkushtimi dhe vendosmëria në rrugëtimin e saj drejt BE-së”, kishte shkruar Haradinaj në Facebook.

Përveç takimit me presidentin francez, presidenti Hashim Thaçi gjithashtu ka vlerësuar edhe takimet me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

“Vizioni i kancelares Angela Merkel, i shpalosur sot në Samitin e Sofjes, është garancë e perspektivës së qartë të anëtarësimit të Kosovës dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian”, ka shkruar ndër tjerash Thaçi.

Thaçi ka bërë të ditur se ka takuar edhe kryeministrin grek, Alexis Tsipras, me të cilin ka thënë se kanë biseduar për forcimin e raporteve Kosovë-Greqi.

Gjithashtu, gjatë Samitit në Sofje, Thaçi ka takuar edhe Kryeministrin e Belgjikës, Charles Michel, dhe së bashku me kryeministrin Haradinaj kanë takuar edhe kryeministrin e Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen. /Telegrafi/

You may also read!

Messi ka zaptuar “La Ligën”, të tjerët…thjesht luajnë në të

La Liga mbylli një ditë më parë edicionin e saj për sezonin 2017-2018, me verdiktet tashmë të zyrtarizuara: Barça

Read More...

Nacionalisti Sheshel përzihet edhe me politikanët shqiptarë në Maqedoni

Kryetari i Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshel, është shprehur kundër vizitës së paralajmëruar të kreut të Parlamentit të Maqedonisë Talat

Read More...

Çfarë ka ndodhur më 21 Maj, përgjatë historisë?

  Ngjarjet më të rëndësishme që kanë ndodhur më 21 Maj, ndër vite: 879 – Papa John VIII i jep

Read More...

Leave a reply:

Your email address will not be published.

Mobile Sliding Menu

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com