Një shekull dëshpërim: Paqja e papërfunduar në Ballkan

In op/ed

Prof. dr. Blerim Reka

Përvjetori që po afrohet, i fundit të Luftës së Parë Botërore, është një kujtesë se vendi ku filloi konflikti – Ballkani Perëndimor, ende nuk ka arritur një paqe të qëndrueshme. Tre proceset e mëdha politike, ligjore dhe financiare, pritet të vazhdojnë edhe gjatë: pajtimi i armiqve të mëparshëm, zgjidhja e reparacioneve të luftës dhe ndarja e pasurive të ish-Jugosllavisë midis shteteve pasardhëse të saj. Nuk ka gjasa që ndonjë nga këto tri procese të përfundojë në dekadën e ardhshme.

Pothuajse njëqind vjet pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Ballkani Perëndimor e gjen veten duke u përballur me një zgjidhje tjetër të paqëndrueshme të paqes. Rajoni më i trazuar i Evropës është i mbërthyer në një tranzicion jo të plotë: nga luftërat pas rënies së ish-Jugosllavisë në demokracitë funksionale. Nuk ka pasur pajtim të vërtetë, as marrëveshje për reparacionet e luftës dhe asnjë shpërndarje të barabartë të aseteve jugosllave në shtetet pasuese. Këto procese mund të marrin edhe dy dekada nëse do të ketë fare.

Pajtimi i vërtetë është ende në fazën e tij fillestare. Bashkimi Evropian, nëpërmjet Procesit të Stabilizim Asociimit të nisur në vitin 1999, u përpoq t’i tërheqë ish-armiqtë e kohës së luftës në një kornizë rajonale për t’u përgatitur për anëtarësim të mundshëm. Mirëpo, me miratimin e Strategjisë së BE-së për Ballkanin Perëndimor, në shkurt të vitit 2018, Komisioni Evropian bëri të qartë se nuk do të ketë aderim të anëtarëve të rinj pa zgjidhjen e kontesteve të tyre reciproke.

Dy sfidat më të vështira gjatë viteve të ardhshme do të jenë: zgjidhja e mosmarrëveshjeve Serbi-Kosovë dhe atyre Serbi – Kroaci. E para ende ndërmjetësohet nën “Dialogun e Brukselit” (të lehtësuar nga BE-ja), por nuk mund të pritet ndonjë përparim i shpejtë (qoftë nëpërmjet njohjes reciproke të kufijve ose shkëmbimit territorial). Rasti Kroaci – Serbi është i ndryshëm, pasi që të dy vendet kanë njohur njëri-tjetrin dhe kanë marrëdhënie diplomatike. Megjithatë, ndërtimi i një marrëdhënieje “normale” mes dy fqinjëve mund të marrë të paktën një dekadë tjetër, sidomos pas acarimit të fundit të marrëdhënieve të tyre.

Arritja e marrëveshjeve për reparacionet e luftës midis armiqve të mëparshëm dhe tani kandidatëve për anëtarësim në BE, është ende në pritje. Përveç disa rasteve individuale në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY), as nuk janë iniciuar ndjekje penale për gjenocid, e as nuk janë bërë vlerësime të besueshme për dëmet e luftës bazuar në një vlerësim neutral dhe të pavarur. Ndarja e aseteve shtetërore të ish-Jugosllavisë ka kaluar edhe për 15 vjet pa ndonjë rezultat të qartë. Pjesa më e madhe e kësaj pasurie tani i takon Serbisë, një situatë që është kontestuar nga ish-njësitë e tjera konstituuese federale, të cilët kërkojnë një shpërndarje më të barabartë.

As luftë, as demokraci

Pritet që Ballkani Perëndimor të mbetet nën një monitorim të fuqishëm nga komuniteti ndërkombëtar gjatë dekadës së ardhshme. Kjo marrëveshje ka për qëllim ta ruajë paqen, por nuk ka të ngjarë t’i eliminojë disa nga burimet kryesore të tensionit. Gjithnjë e më shumë, këto mund të gjenden në demokracitë e reja të rajonit, dështimet e të cilave mund ta mbajnë rajonin si një zonë krizash në të ardhmen.

Pas Luftës së Parë Botërore teoricienët liberalë u përpoqën ta shpjegojnë lidhshmërinë e përgjegjësisë për luftën me regjimet jodemokratike në periudhën para luftës. Megjithatë, çereku i shekullit të kaluar në Ballkan tregon se demokracia jo domosdoshmërisht sjell paqen. Në vend të kësaj, konflikti i armatosur në rajon qe shmangur nga një kombinim i mbikëqyrjes ndërkombëtare, programeve rajonale për zhvillim ekonomik dhe udhëheqjet e rrënjosura politike që sigurojnë stabilitet, ndonëse me korrupsion të lejuar dhe lulëzim të strukturave mafioze. Deri në njohjen dhe trajtimin e problemit të fundit, Ballkani Perëndimor do ta ketë të vështirë të arrijë një paqe të qëndrueshme përmes një qeverisjeje demokratike.

Duket se rajoni ende nuk i ka mësuar mësimet historike pas Luftës së Parë Botërore. Ideologjia e tij mbizotëruese post-komuniste mbetet nacionalizmi, shpesh në variantin e korruptuar, klient-shtet. Si opium për masat, “idetë e mëdha kombëtare” i ushqejnë qytetarëve, të cilët paralajmërohen kundër armiqve tradicionalë kombëtarë. Duke iu shmangur kësisoj votuesve, politikanët e korruptuar vazhdojnë t’i harxhojnë buxhetet kombëtare të pashqetësuar. Mendimi nacionalist nuk ka zgjidhur asnjë çështje të vetme politike në Ballkan, por ka qenë shumë i mirë për fryrjen e llogarive bankare të politikanëve.

Modeli i Ballkanit i pasluftës është treguar i efektshëm për ruajtjen e paqes së pasigurt, por nuk ka zgjidhur problemet themelore strukturore të pasluftës. Kjo është një strategji klasike afatshkurtër. Duke toleruar sundimin e bosëve politikë lokalë që manipulojnë agjendën nacionaliste për të qëndruar në pushtet, një model i tillë qeverisës do ta mbajë të brishtë paqen rajonale. Këto animozitete të zymta mund të paraqiten gjatë dekadës së ardhshme në një betejë të çdo kombi vet për vete.

Gjendja e tensioneve të përhershme bilaterale dhe rajonale të inkurajuara nga udhëheqësit e Ballkanit ushqen jo vetëm krimin e brendshëm, por edhe atë ndërkombëtar, duke përfshirë këtu edhe kontrabandën trans-nacionale të emigrantëve. Përplasja e interesave oligarkike mund të çojë në luftëra të reja tregtare në rajon. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), por anëtarësimi nuk ka përfunduar. Shembujt e fundit të mosmarrëveshjes dypalëshe të tregtisë dhe doganave përfshijnë “luftën për patate” midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe përshkallëzimin e fundit të një “lufte me miell” midis Serbisë dhe Maqedonisë.

Versaja dhe Dejtoni

Ish-Jugosllavia si monarki u krijua me Traktatin e Versajës (1919), kurse përfundoi me një traktat tjetër paqësor, Marrëveshjen e Dejtonit (1995). Kjo e fundit solli përfundimin simbolik të luftërave evropiane në shekullin e 20, të cilat filluan dhe përfunduan në Ballkan. Kryeqyteti i Bosnjës, Sarajeva, nxiti shkëndijën që shkaktoi Luftën e Parë Botërore dhe i njëjti qytet furnizoi casus belli për konfliktin më të rrezikshëm të armatosur të Evropës pas Luftës së Dytë Botërore.

Lufta e Parë Botërore solli në Evropë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si një fuqi e madhe, me Presidentin Woodro Wilson paqebërës global. Luftërat ballkanike detyruan Shtetet e Bashkuara nën presidentin Bill Klinton për të ndërhynte si ndërmjetës, pasi Evropa nuk arriti ta ndalonte masakrën ballkanike. Të dy traktatet u nënshkruan në Paris, por vetëm pas angazhimit aktiv dhe serioz amerikan.

Nga tre krijuesit e Jugosllavisë së Versajës, Kroacia dhe Sllovenia adoptuan orientim të qartë gjeostrategjik perëndimor. Serbia, nga ana tjetër, mbetet aleatja më e fortë e Rusisë në rajon dhe ende është jashtë BE-së dhe NATO-s. Në mars, Parlamenti i Serbisë filloi ratifikimin e një marrëveshjeje të përbashkët të sigurisë me Rusinë, e cila ofron bashkëpunim më të ngushtë për sigurinë e brendshme dhe kibernetike.

Mbyllje rrugësh

Një shekull pas Versajës është e habitshme sa pak ndryshoi mentaliteti politik i Ballkanit Perëndimor. Nacionalizmi ende është forca lëvizëse, edhe pse popujt e rajonit kanë rënë viktimë e disa prej fatkeqësive më të përgjakshme të saj.

Ky frymëzim lufte tenton t’i ndalë përpjekjet e pajtimit para se të fillojnë. Por, për të punuar për pajtimin, çështja e reparacioneve duhet së pari të adresohet. Pagesa për dëmet e luftës është një çështje e mprehtë kudo: Gjermanisë dhe Luksemburgut iu deshën 45 vjet për të arritur një marrëveshje dhe anëtarët e koalicionit qeverisës të Polonisë vetëm kohët e fundit sugjeruan që vendi i tyre të mund ta rihapte çështjen e reparacioneve. Kroacia, Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina kanë kërkuar që Serbia duhet të paguajë duke rritur mundësinë e disa marrëveshjeve dypalëshe ose ndoshta një të vetme dhe shumëpalëshe mbi këtë çështje midis shteteve pasardhëse të Jugosllavisë.

“Procesi i Berlinit”, i iniciuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel në vitin 2014, përpiqet ta përdorë bashkëpunimin rajonal dhe investimet në infrastrukturë si mënyrë për t’i ndihmuar vendet e Ballkanit ta shmangin përsëritjen e historisë së tyre tragjike. Raundi i pestë i këtij procesi do të zhvillohet në Londër këtë korrik, pasi katër raundet e mëparshme dhanë rezultate premtuese, kryesisht simbolike. Në një përpjekje për ta thyer bllokadën, BE-ja ka paralajmëruar se nuk do të “importojë” ndonjë mosmarrëveshje të pazgjidhur territoriale që duhet të merret me to, si Qiproja, apo mosmarrëveshjet kufitare ndërmjet Bullgarisë dhe Rumanisë, Sllovenisë dhe Kroacisë.

Që pajtimi të shënojë progres në dekadën e ardhshme, duhet prani më e madhe amerikane në rajon. I dërguari i presidentit Trump për Ballkanin, Wes Mitchell, shpalosi muajin e kaluar, gjatë vizitës së tij më të fundit në rajon, interesin e përtërirë të Uashingtonit për Ballkanin.

Një arsye për angazhimin e ShBA-së është të kuptuarit me vonesë se sa thellë Rusia ka depërtuar në rajon. Z. Mitchell diskutoi propozimet amerikane për një zgjidhje të qëndrueshme paqësore me krerët politikë në Serbi dhe Kosovë. Mirëpo, ideja se Serbia nuk duhet ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara në këmbim të anëtarësimit të saj të mundshëm në BE u kritikua menjëherë nga Ministria e Jashtme e Rusisë.
Rregullimi i kufijve dhe mbyllja e kontesteve kufitare bilaterale mbetet në agjendë, duke përfshirë edhe spekulimet rreth këmbimeve territoriale midis Serbisë dhe Kosovës.

Ndërkohë, Serbia vazhdon ta furnizojë me armë Republikën Srpska, komponenti autonom serb i Bosnjë e Hercegovinës dhe përqendroi disa herë provokativisht njësitë e blinduara në kufirin me Kosovën. Në mars, pati një shkelje të kufirit në Kosovën Verilindore ku u përfshin xhandarët serbë. Gjenerali Curtis Scaparrotti, komandanti suprem i Forcave Aleate të Forcave të NATO-s në Evropë, ka paralajmëruar se Rusia po përdor të dy shtetet serbe për ta zgjeruar ndikimin në Ballkanin Perëndimor dhe për ta parandaluar integrimin e tyre euroatlantik. I pyetur në Senatin amerikan në seancën dëgjimore se cili aspekt i ndërhyrjes ruse shkaktoi shqetësimin më të madh në Ballkan, gjenerali Scapartiti u përgjigj me një fjalë: “Serbia”.

Serbia mbetet fuqia më e fortë ushtarake në rajon, kurse Shqipëria e dyta. Kosova nuk ka ushtri, por mund të detyrohet ta krijojë atë brenda viteve në vijim. Është e qartë se paqja në rajon do të varet, para së gjithash, nga Shqipëria dhe Serbia duke i tejkaluar dallimet e tyre, gjë që duket e pamundur pa një prani më të fortë amerikane. Pritet që presioni diplomatik më i fuqishëm i ShBA-së të bëhet në Ballkanin Perëndimor në vitet e ardhshme. ShBA-ja ka të ngjarë ta krijojë bazën ushtarake në një nga vendet anëtare të NATO-s në rajon, me gjasë në Shqipëri

Dy skenarët

Skenari më i mundshëm gjatë dekadës së ardhshme është që BE-ja dhe ShBA-ja të vazhdojnë ta ndjekin qasjen e tyre të bazuar në stabilitet, duke i dhënë prioritet sigurisë rajonale, për ta bllokuar depërtimin e mëtejshëm të Rusisë. Fokusi kryesor do të jetë tërheqja e të gjitha shteteve të rajonit nën ombrellën euroatlantike. Kjo shihet se sa e rëndësishme është, pas paralajmërimit të fundit, nga ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, i cili tha se, duke detyruar Beogradin, të zgjedhë midis Rusisë dhe Perëndimit, politikëbërësit e BE-së dhe ShBA-së mund të “hyjnë të njëjtën grackë si në krizën ukrainase, kur shoqëria ukrainase u nda”. Presioni për ta lënë orbitën ruse vetëm sa do të shtohet kur Serbia do të hyjë në fazat përfundimtare të procesit të pranimit në BE.

Hapi i parë për Beogradin do të ishte njohja e Kosovës ose, të paktën, duke mos kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në OKB. Tjetri, do të jetë që Serbia ta rishikojë aleancën e saj të ngushtë me Rusinë. Aq sa qeveria serbe do të përpiqet të përafrohet me BE-në, mund të përballet me trazira masive publike dhe, ndoshta, një kundër-reagim nga Rusia, për ta mbrojtur aleatin e saj më të fortë rajonal. Por, që nga koha kur Moska po e ndjen intervenimin ushtarak në Ukrainë dhe Siri, mund të ngurrojë të rrezikojë një aventurë të re në Ballkanin Perëndimor – veçanërisht me ShBA-në e cila tani po i mbështet aspiratat e Ukrainës për anëtarësimin në NATO.

Siç u përmend më lart, ShBA-ja mund të pritet të marrë një rol më të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor. Uashingtoni me siguri nuk do ta lejojë Rusinë të ndërhyjë në atë se si vendet e Ballkanit zgjedhin shtrirjen e tyre gjeopolitike. Në ndjekjen e këtij qëllimi strategjik, ShBA-ja dhe BE-ja do t’i ndjekin rrugët paralele. Uashingtoni do të përqendrohet në ruajtjen e paqes dhe sigurisë rajonale, ndërsa Brukseli do të përqendrohet në zhvillimin ekonomik dhe ndërtimin e institucioneve demokratike.

Skenari i dytë, më pak i mundshëm, është se rajoni në fund do të kthehet në ndërtimin e shteteve demokratike pas tranzicionit të tij të gjatë pas luftës. Suksesi i plotë është i paarritshëm në afat të shkurtër jo vetëm për shkak të problemeve strukturore të përmendura më parë, por edhe për shkak të pranisë së fortë politike, ushtarake dhe energjetike të Rusisë. Kohët e fundit, Lavrovi paralajmëroi Maqedoninë për rreziqet e anëtarësimit në NATO – dhe ky vend mbetet një pikë kritike. Duke e lënë atë jashtë aleancës perëndimore vetëm sa do t’i bashkonte rreziqet afatgjata gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor.

(Botuar dje në GIS. Përktheu nga anglishtja: Arsim Osmani)

You may also read!

Messi ka zaptuar “La Ligën”, të tjerët…thjesht luajnë në të

La Liga mbylli një ditë më parë edicionin e saj për sezonin 2017-2018, me verdiktet tashmë të zyrtarizuara: Barça

Read More...

Nacionalisti Sheshel përzihet edhe me politikanët shqiptarë në Maqedoni

Kryetari i Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshel, është shprehur kundër vizitës së paralajmëruar të kreut të Parlamentit të Maqedonisë Talat

Read More...

Çfarë ka ndodhur më 21 Maj, përgjatë historisë?

  Ngjarjet më të rëndësishme që kanë ndodhur më 21 Maj, ndër vite: 879 – Papa John VIII i jep

Read More...

Leave a reply:

Your email address will not be published.

Mobile Sliding Menu

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com