Për flamurin

In op/ed

 Arben Idrizi

Flamuri i Shqipërisë te rrethi dhe flamuri i Serbisë në Graçanicë apo në veri të Kosovës, aty ku duhej të ishte (vetëm) flamuri i Kosovës, janë shenjë se kurorëzimi i vuajtjeve tona me pavarësinë e vendit është i pamjaftueshëm. Bile-bile, i papranueshëm

Javë më parë, artisti Driton Selmani pati zëvendësuar flamurin e Shqipërisë të vendosur te rrethi, në hyrje të Prishtinës, me atë të ‘offside-it’. Për këtë, autori do të ketë punë me ligjin dhe do të paguajë gjoba bukur të rënda për xhepin e tij. Më sa kam kuptuar, reagimi i tij artistik ishte ndaj gjendjes aktuale ekonomike dhe politike në vend, jo thjesht ndaj pranisë së çuditshme të atij flamuri të një shteti fqinj në vendin ku duhej të ishte flamuri i vendit tonë. Sidoqoftë, duke qenë se një vepër artistike nuk mund të reduktohet në domethënie, po marr guximin ta avis edhe te ky qëndrim. Qoftë edhe vetëm për ta ndihmuar debatin tashmë të hapur rreth largimit ose jo të atij flamuri fqinjësor. Unë, pra, mund ta lexoj edhe kështu: prania e një flamuri tjetër në vendin ku duhet të jetë flamuri im, është gjendje offside.

Po bëj një sqarim të vogël, që të mos duket se po provokoj, kur qëllim im i vetëm është të bëj një thirrje të qetë për kthim kah realiteti.

Kur atij simboli i referohem me ‘flamuri i Shqipërisë’, në asnjë moment nuk harroj se deri para një dekade ai ishte po ashtu flamuri ynë, i shqiptarëve të Kosovës. Pra, cilësohej flamur kombëtar. Me të dhe për të janë shkaktuar gjithë ato dhimbje dhe tragjedi. Atë rëndësi vazhdon ta ketë për shqiptarët pakicë në vendet e tjera përreth, në Serbi, Maqedoni dhe Mal të Zi.

Me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës dhe mbi të gjitha, me krijimin e shtetit të Kosovës shtet multietnik, u sajua edhe simboli shtetëror, i cili do t’u përkasë të gjithë banorëve vendës, pa dallim etnie. Thënë shkurt dhe përmbledhtazi, një mundësi ideale për tejkalimin e armiqësive, konflikteve, urrejtjeve dhe përçarjeve.

Që të kthehemi në tokë, kjo do të thotë se shqiptarët në Prishtinë dhe serbët në Graçanicë apo veri të Mitrovicës, nuk kanë pse T’I vendosin flamujt përkatës kombëtarë, duhet TA vendosin flamurin e tyre shtetëror. Kjo do të tregonte, pra, se janë për këtë shtet multietnik. Më tej, se janë thellësisht të përkushtuar për paqe, tolerancë dhe një të ardhme të përbashkët. Akoma më tej, se janë të gatshëm për kërkim/falje, një gjendje njerëzore në të cilën ende nuk kemi arritur.

Kjo është gjendja ideale, të cilën e simpatizoj. Ky duhet të jetë vendi im.

Nëse do të kishte një politikan aktual që do të duhej t’i përfaqësonte këto ideale, ai duhej të ishte Shpend Ahmeti. E megjithatë, i fundosur çuditërisht në një lëvizje nacionaliste, ai është shndërruar në simbol të hipokrizisë. Si kryetar i Prishtinës, ai është duke dhënë shembullin e kundërt të asaj gjendjeje ideale që e kërkuam. Kam bindjen se ai nuk beson aspak në atë që bën. Ai bën atë që bën i shtyrë nga qëndrimet e Vetëvendosjes. Duke qenë kështu, e shoh si njërin prej politikanëve më të dëmshëm për atë të ardhme të lartpërmendur. Në këtë rast, ai është në offside të vazhdueshëm, por të vetët nuk duan t’ia thonë as ta pranojnë këtë, e kur ia themi ne nga jashtë, konsiderohemi si ata që vetëm kundërshtojnë nga zilia, inati, urrejtja, etj., përkatësisht tradhtarët kombëtarë. Të ekzistosh në këtë offside dhe të mos ndërmendesh, apo ta dish në vete, por të mos guxosh ta pranosh, duhet të jetë tepër shqetësuese.

Edhe pse ne jemi vetëm “tradhtarë fiktivë”, jemi më të përçmuar dhe më të përbuzur se vetë ata shkelësit realë të kushtetutës, e cila i përcakton simbolet shtetërore që duhet të respektohen.

Flamuri i Shqipërisë te rrethi dhe flamuri i Serbisë në Graçanicë apo në veri të Kosovës, aty ku duhej të ishte (vetëm) flamuri i Kosovës, janë shenjë se kurorëzimi i vuajtjeve tona me pavarësinë e vendit është i pamjaftueshëm. Bile-bile, i papranueshëm. Ne dhe ata nuk duam të jemi kosovarët. Ne dhe ata duam të jemi NE dhe ATA. Ne dhe ata duam të jemi shqiptarët dhe serbët. Shqiptarët për Shqipërinë dhe serbët për Serbinë. Shqipëria dhe Serbia. Shqipëria dhe Serbia e tillë nuk janë për paqe, tolerancë dhe bashkëjetesë. Janë për dhunë, urrejtje dhe spastrime.

 

You may also read!

Gjermania nis dëbimin e shqiptarëve, këto janë shifrat

Numri i të huajve që janë dëbuar nga Gjermania gjatë vitit 2017 ka qenë 23 966 gjithsej, ose më

Read More...

Trump konfirmon takimin me Kim Jong-un

Presidenti Trump tha se takimi i një presidenti amerikan me udhëheheqësin koreanoverior duhej të kishte ndodhur shumë vite më

Read More...

Thirrjet raciste për shqiptarët nga ministri më i rëndësishëm i Italisë

Qeveria e re italiane u betua. Betimi lë pas një mori të panjohurash për italianët, vetë Bashkimin Europian dhe

Read More...

Leave a reply:

Your email address will not be published.

Mobile Sliding Menu

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com