Shtimi i bandave shqiptare të trafikut të drogës ka shqetësuar autoritetet belge.
Rasti më i fundit është i një 30-vjeçari të quajtur Endri. K, i cili doli para togave të zeza në një gjykatë në Brugge dy ditë më parë.
Në sallën e gjyqit, prokurori i çështjes u shpreh se shqiptari u rekrutua nga disa banda dhe më parë nuk jetonte në Belgjikë.
Sipas prokurorit, shqiptari ishte punësuar nga dikush që e thërrisnin, “Mohamed nga Molenbeek”, i cili është ende në kërkim.
Prokurori tha:
“Endri K. nuk jetonte në vendin tonë një vit më parë, përpara se të përfshihej në trafikun e drogës. Disa banda i propozuan që të shiste drogë dhe u përfshi në këtë biznes.
Më tej prokurori u shpreh se Brugge është i rrënuar nga bandat shqiptare të drogës, biznes i cili është shumë fitimprurës për ta”.
Përsa i përket shqiptarit, ai rrezikon 2.6 vite burg dhe një gjobë 60 mijë euro.