Deputetja e PDK-së, Flora Brovina sot ka bërë publike një fotografi në të cilën shihet një grua kosovare teksa dhunohet nga ushtarët serbë.
Për publikimin e kësaj fotografie, Brovina është kritikuar nga deputetja e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci e cila ka thënë se familjarët e viktimës kanë kërkuar që fotografia të largohet.
“ Në fotografi shihet viktima, imagjino si ndihet ajo kur e sheh këtë fotografi, kjo i bën mos të trajtohet me dinjitet ai person. Është e padrejtë dhe e padinjititeshme për viktimat, nuk e di a ke qëllu ti Flora me të ndodh diçka e tillë më të pa krejt mediat në atë gjendje, çka nëse si rezultat i asaj fotografie i ndodh diçka viktimës pasi ajo mund të identifikohet”, ka thënë Bogujevci.
Ndërsa, avokati Besnik Berisha në një prononcim për lajmi.net ka thënë se ende nuk e ka parë fotografinë e publikuar, mirëpo një e tillë sipas tij nuk do duhej të publikohej.
“Në parim asnjë fotografi që i atribuohet viktimave të dhunës seksuale nuk do duhet të publikohej. Asnjë fotografi në të cilën ka mundësi të identifikohet se kush është viktima, as nga Flora Brovina e as nga dikush tjetër”, ka deklaruar Berisha.
Ndërkohë në Kuvend, është duke u diskutuar për krimet e serbëve të kryera në Kosovë.