Aksioni parcial çliroi Kosovën por nuk e kompletoi fitoren e luftës së ftohtë

In op/ed

20 vjet nga intervenimi i NATO-s

Shkruan: Milazim KRASNIQI

Përvjetorët janë raste për të kujtuar ngjarjet e ndodhura, efektet që kanë pasur në histori dhe në jetët e njerëzve, po edhe për të reflektuar për aspektet e tyre, që në kohën kur kanë ndodhur, nuk janë dukur ose nuk janë kuptuar. Kështu është edhe me njëzet vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të ish Jugosllavisë së Zhablakut përkatësisht të ish Jugosllavisë së Millosheviqit.

Ana optimiste e prospektit- nga intervenimi i NATO-s

Intervenimi i NATO-s, vërtet solli ndryshime të konsiderueshme në jetën e shqiptarëve të Kosovës, të mbarë kombit shqiptar, po edhe të Ballkanit, natyrisht duke pasur efekte edhe në raportin ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë në këto hapësira. Ndikimi i intervenimit të NATO-s mbi jetën e shqiptarëve të Kosovës ka qenë vendimtar, që t’i shpëtojnë spastrimit etnik dhe gjenocidit, që ishte planifikuar si “zgjidhje përfundimtare”për çështjen e tyre, nga ana e Serbisë për ta. Aksioni ushtarak i NATO-s u mundësoi shqiptarëve që të ktheheshin në Kosovë e të rifillonin jetën e re në vatrat e tyre, ndonëse ajo ishte shndërruar në një “tokë të djegur” sikundër pati deklaruar ish sekretari i OKB-së, Kofi Anani. Ndryshimi i madh që ndodhi në Kosovë, pati efekte të caktuara edhe mbi shqiptarët në Maqedoni, të cilët në vitin 2001 parashtruan kërkesa politike për ndryshimin e statusit të tyre në shtetin e përbashkët me maqedonasit. Marrëveshja e Ohrit nuk do të ishte e konceptueshme pa atë ndryshim të madh gjeopolitik që ndodhi në Kosovë, ku u instalua NATO-ja dhe veçmas baza amerikane “Bondstill.” Ndërsa, shqiptarët në Luginën e Preshevës faktikisht nuk fituan asgjë, ngase rebelimi i tyre i vitit 2000, u përdor vetëm si presion mbi Millosheviqin, e jo për të zgjidhur problemin e Luginës së Preshevës. Natyrisht, Shqipëria u ndie e çliruar nga presioni i çështjes së pazgjidhur të Kosovës dhe nga problemet e shqiptarëve të Maqedosisë, me çka iu hap rruga e anëtarësimit të saj në NATO. Mund të supozohet se pa bombardimin e NATO-s, Jugosllavia e Zhablakut nuk do të shpërbëhej, që do të thotë se Mali i Zi mund të mos ishte shkëputur nga Serbia dhe sot nuk do të ishte anëtar i NATO-s. Me këto ndryshime që u inicuan me bombarrdimin nga NATO-ja të ish Jugosllavisë, sot Shqipëria e Mali i Zi janë shtete anëtare të NATO-s, Maqedonia është në proces anëtarësimi, ndërsa në Kosovë është e instaluar një bazë ushtarake amerikane. Pra, njëra anë e prospektit human dhe gjeopolitik të jetës së shqiptarëve dhe të Ballkanit, që u inicua nga bombardimet e NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe e jugosllave, duket mjaft optimiste.

Serbia as nuk harron, as nuk falë

Por, ana tjetër e këtij prospekti edhe sot është e ngrysët, madje shumë shqetësuese. Na mjafton të përcjellin reagimet e politikanëve dhe medieve serbe në 20 vjetorin e bombardimeve të NATO-s, që të kuptojmë që gjërat në Serbi nuk kanë ndryshuar aspak. Nuk ka ndryshuar gjendja mentale e popullit serb, nuk ka ndryshuar diskuri i udhëheqësve shtetërorë e politikë të Serbisë, nuk ka ndryshuar propaganda antiperëndimore e antishqiptare e medieve serbe. Kësodore, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiqi, në fjalimin që mbajti më 23 mars 2019 në Nish, në kujtim të fillimit të bombardimeve të NATO-s, u zhgreh në vaj, duke kujtuar vetëm viktimat serbe të atyre bombardimeve. Zëri iu ngjir, fshiu lotët dhe pastaj deklaroi se Serbia kurrë nuk të harrojë se kush i ka kryer at krime kundër popullit serb. Edhe nëse është pjesë e aktrimit të tij, për çka ai është i njohur, kur manipulon emocionet e serbëve, edhe nëse është vrasje e ndërgjegjes, ngase ai ka qenë minister i propagandës në atë kohë, mesazhi antiperëndimor dhe antishqipar në falimin e tij mbetet problematik. Ai la të kuptohej se Serbia as nuk harron, por as nuk falë. Pra, i bie logjikisht që Serbia e Vuçiqit planifikon hakmarrje, në rastin e parë që do t’i jipet. Prandaj ajo ka blerë e blenë avionë e helikopterrë ushtarakë nga Rusia, prandaj pikërisht në Nish është aktive “Qendra Humanitare Ruso-serbe” që në fakt është një bazë ushtarake ruse, prandaj në truallin e Serbisë operojnë rreth 3000 persona të armatosur për hesap të “Gaspromit”, gjigandit energjetik rus. Po të analizohen fjalimet e politikanëve të tjerë serbë, të popave serbë e të jo pak intelektualëve serbë lidhur me Kosovën, shqiptarët dhe bombardimet e NATO-s, mesazhi i Vuçiqit mund të duket i moderuar! Pra, në këtë përvjetor, në vend të ndonjë reflekltimi, ka shpërthyer një valë e re histerizmi kundër Kosoëvs, kundër shqiptarëve e kundër NATO-s. Nga ky histerizëm është krejtësisht e qartë se Serbia ka mbetur nën influencën ruse, ka mbetur një vrimë e zezë gjeopolitike në zemër të NATO-s, ka mbetur një kërcënim permanent për Kosovën dhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Thënë thjesht, njëzet vjet pas bombardimeve të NATO-s, Kosova është në gjendje armëpushimi, Ballkani nuk e ka gjetur paqen, Perëndimi nuk e ka kompletuar fitoren e Luftës së Ftohtë mbi Rusinë. Pse ndodhi kështu?

Qëllimet parciale nuk i japin askujt fitore të plotë

Kështu ndodhi ngase qëllimet e NATO-s, kur i filloi bombardimet kundër caqeve ushtarake në ish Jugosllavi, më 24 mars 1999, kanë qenë qëllime parciale. Qëllimi i NATO-s nuk ka qenë mundja e plotë ushtarake e ish Jugosllavisë, qëllimi nuk ka qenë as rrëzimi i regjimit të Sllobodan Millosheviqit. (Këtë gjë e deklaroi në njëzetvjetorin e fillimit të bombardimeve, ish zëdhënësi i NATO-s, Xhejmi Shia.) Qëllimi ushtarak i NATO-s ishte evitimi “i katastrofës humaniare”, që në fakt ishte një eufemizëm për spastrimin etnik dhe gjenocidin, që zbatonte regjimi i Milloshevqit kundër popullit shqiptar të Kosovës. Prandaj edhe zgjedhja e caqeve që bombardoheshin ishte selektive, më shumë që të jipeshin sinjale se çfarë mund të pësonte shteti serb-jugosllav, e jo që të arrihej qëllimi ushtarak e politik në mënyrë të shpejtë. Dëmtimi i urave mbi Danub, i disa fabrikave dhe rafinerive të naftës në Panqevë, patën efekte afatmesme mbi shtetin serb, por jo efekte direkte mbi ushtrinë, policinë serbe dhe njësitë e tjera terroriste paramilitare, që po kryenin gjenocid në Kosovë, pikërisht në periudhën sa zgjasnin bombardimet e NATO-s (24 mars-9 qershor.) Bile, sikundër kujtohet lehtë, në ditët e para, aksioni ushtarak i NATO-s gjithandej ishte i intensitetit mjaft të ulët. Si duket, pritshmëria e strategëve të NATO-s ishte që regjimi kriminal serbo-jugosllav do të kërkonte armëpushim, që në ditët e para dhe ashtu të arrihej një marrëveshje, pa pasur dëme të mëdha dhe pa eskalimin e mëtejshëm të armiqësive. Por, regjimi i Millosheviqit pati një kundërpërgjigje krejt të ndryshme, nga ajo që priste NATO-ja. Regjimi intensifikoi dhunën sistematike dhe frontale kundër civilëve shqiptarë, duke e shndërruar në spastrim etnik dhe gjenocid. Vrasjet masive të civilëve në të katër anët e Kosovës dhe dëbimi i të mbijtuarve për në Maqedoni e në Shqipëri, kishte për synim që ta përfshinte rajonin në konflikt dhe ashtu ta trembte NATO-n nga një luftë e përmasave ballkanike, e cila si e atillë nuk do të mund të kontrollohej. Ndërsa djegia sistematike e mbi 100.000 shtëpive dhe ekonomike familjare, e shoqëruar me vrasje kolektive të civilëve dhe me dhunimin e femrave, kishte për synim që të dëbuarit të mos kishin ku të ktheheshin dhe të mos kërkonin të ktheheshin në vendin ku ishin masakruar e torturuar.

Megjithë ngadalësinë e aksionit, vendosmëria e NATO-s nuk u vu në dyshim serioz, sado që disa nga shtetet anëtare bënin presion për ndalimin e bomardimeve. Në fakt, vendosmëria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Britanisë së Madhe kanë qenë vendimtare për ta çuar deri në fund aksionin ushtarak të NATO-s.

Paqja e mirëfilltë nuk duket në horizont as pas 20 vjetësh

Pas 78 ditësh të aksionit ushtarak të NATO-s, regjimi gjakatar i Millosheviqit, megjithatë, u dorëzua. Me firmosjen e Marrëveshjes së Kumanovës iu hap rruga largimitt të forcave terroriste serbe nga Kosova dhe vendosjes së KFOR-it, si një forcë ushtarake paqeruajtëse. Pra, Kosova u çlirua nga aksioni ushtarak i NATO-s, por me një çmim tmerrësisht të lartë në jetën e civilëve dhe në shkatërrimin e ekonomive familjare. Ne nuk do ta dimë kurrë se a ka pasur NATO-ja mundësi të tjera për frenimin e Millosheviqit, në një kohë më të shkurtër e me një çmim më të ulët. Mund të supozohet se nëse aksioni ushtarak i NATO-s do të ishte më i fortë në fillim, ashtu siç u bë në fund, ndoshta disa nga pasojat do të ishin evituar. Mbase edhe armiqësia nuk do të kishte arritur në këto përmasa. Por, kjo tashmë është në fushë e hipotezave.

Ajo që dimë sot është se pa aksionin ushtarak të NATO-s, i atillë çfarë ishte, nuk do të ndërpritej spastrimi etnik dhe gjenocidi serb dhe nuk do të arrihej ky armëpushim, i cili falë KFOR-it mbahet në këmbë të drunjta tash 20 vjet. Ndërsa, paqja e mirëfilltë ndërmjet Serbisë e Kosovës, ende nuk duket askund në horizont, sikundër që nuk është ende në horizont as kompletimi i fitores së Luftës së Ftohtë të Perëndimit mbi Rusinë. Serbia e Kosova kanë mbetur fushëbetejat e fundit të kësaj lufte.

You may also read!

Veseli sërish kryetar i PDK’së, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim

Pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, Kadri Veseli është rizgjedhur kryetar i PDK’së edhe për një mandat, sot

Read More...

Trump e sulmon sërish kryetarin e Londrës: Je turpi i kombit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka kritikuar përsëri kryetarin e Londrës, Sadiq Khan, duke e quajtur

Read More...

Dy ditë pasi Avdullah Hoti tha se në LDK ka kaluar koha e rrahjeve: Krisin karriget dhe grushtet

Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila këto ditë po mban procesin e brendshëm zgjedhor, është duke u përballur me

Read More...

Mobile Sliding Menu