Çka ofron Takimi i Berlinit

In op/ed

Merkel dhe Macron me Ftesën e Berlinit, duan disi të mëkëmbin besimin e dobësuar shumë, që megjithatë, BE-ja dhe WB6 do të jenë partnerë tani dhe në të ardhmen.

Në ditët para se të ndodhë Takimi i Berlinit, të hënën, me 29 prill, nikoqir të të cilit janë Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti francez Emmanuel Macron, do të marrin hov edhe më shumë se sa në ditët e kaluara, spekulimet e shumta se çfarë në të vërtetë do të flitet dhe çka do të propozohet në këtë Samit të liderëve të WB6 (gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor), dhe të Sllovenisë e Kroacisë.

Tema e dialogut të ngecur plotësisht në mes të autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë, nuk ka si të mos trajtohet në këtë Takim. Nuk ka dhe nuk mund të ketë stabilizim afatgjatë të kësaj ane të Evropës pa Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Ndërsa ky normalizim dhe kjo Marrëveshje si kod të vetin themelor kanë njohjen reciproke në mes të këtyre dy shteteve.

Sidoqoftë, edhe pse ka ende të panjohura që përkojnë me këtë Takim dhe me synimet e tij, me gjasë, nuk është vështirë të mbërrihet tek konkludimet goxha stabile se çfarë nuk do të jetë Samiti njëditor i Berlinit.

Së pari, nuk kemi të bëjmë me një Konferencë ndërkombëtare që mëton të ofron zgjidhje për problemet e grumbulluara për decenie në Ballkanin Perëndimor.

Diçka e tillë është e pamundur dhe nuk është objektivisht në ‘menynë’ politike dhe diplomatike të këtij Samitit të Berlinit.

Së dyti, ky Takim nuk mund të ketë për synim të vetin të jetë zëvendësim për procesin e bisedimeve në Bruksel në mes të autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë, të cilat janë autorizuar me një Rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, por edhe me një vendim dhe qëndrim të qartë të BE-së.

Së treti, në këtë format të një Mbledhjeje të kësisoj, nuk mund të pritet që përgjegjësit për mbajtjen e këtij Takimi, boshti Berlin – Paris (i cili gjithsesi do të ketë një ndikim në rritje e sipër në BE, pas largimit zvarritës dhe rraskapitës të Britanisë së Madhe), të ofrojë modele konkrete për arritjen e Marrëveshjes ligjërisht detyruese në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Thjeshtë, ka shumë protagonistë dhe pjesëmarrës në këtë Samit, dhe nuk ka kurrfarë kuptimi që në këtë ambient, të çelet në mënyrë fare konkrete tema e përmbajtjes së Marrëveshjes eventuale në mes të dy shteteve për normalizimin e raporteve në mes tyre.

Pse atëherë po organizohet ky Samit tani, në fund të muajit prill, pak para se në BE të mbahen zgjedhjet për Parlamentin Evropian?

Në radhë të parë, zhvillimet e këtij viti në Ballkanin Perëndimor, por edhe në BE, nuk karakterizohen fare me shenja pozitive dhe optimiste. Vitin e kaluar, në të njëjtën kohë, apo, në pranverën e vitit 2018-të, ka mbizotëruar një atmosferë më e mirë. U pat shpallur Strategjia për zgjerimin e BE-së me WB6, kryesimi i BE-së nga Bullgaria dhe Austria u përdor që t’i jepet mbështetje kësaj Strategjie, në qershor u përmend edhe hapja, pas një viti, e bisedimeve për Shqipërinë dhe Maqedoninë për hyrje në BE.

Ky vit ka shënuar rënien drastike të besimit të politikanëve por edhe qytetarëve të këtyre gjashtë shteteve në BE dhe në euro-perspektivën e tyre.

Kosovarëve ende u mohohet, padrejtësisht, liberalizimi i vizave, është pikëpyetje e madhe a do të ketë lajme të mira për Shqipërinë dhe Maqedoninë për t’i nisur bisedimet shumëvjeçare për tu inkuadruar në BE, ai afati i Strategjisë për zgjerimin e BE-së, që njihte vitin 2025 si opsion të mundshëm për shtimin e anëtarëve të BE-së, në bisedat joformale në kryeqendrat perëndimore, po zvarritet për pesë-dhjetë vitet e tjera.

Thjeshtë, çfarë ka ndodhur gjatë këtij viti në Ballkan dhe në BE, ka ndikuar në shterjen drastike të të gjitha ‘rezervave të optimizmit’ këndejpari, në fuqizimin e mëtejmë të nacionalizmit dhe të popullizmit, në acarimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, në shtimin e tensioneve në Bosnjë dhe Hercegovinë, gjithsesi, në përpjekjet e reja të Federatës së Rusisë për të ndikuar në destabilizimin e kësaj pjese të Evropës.

BE-ja pra kurrë nuk ka qenë më e dobët, shtetet e WB6 nuk po shohin që ka perspektivë reale që në një të ardhme të parashikueshme të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, qytetarët e këtyre shteteve janë të dëshpëruar në njërën anë, dhe të goditur me oferta të shumta populliste të cilat kanë rolin e një qetësuesi apo zgjumësi të përkohshëm dhe asgjë më shumë.

Merkel dhe Macron me Ftesën e Berlinit (për pjesëmarrje në këtë Takim), duan disi të mëkëmbin sadopak besimin e dobësuar shumë, që megjithatë, BE-ja dhe WB6 do të jenë partnerë tani dhe në të ardhmen.

Në këtë kontekst, natyrisht, Berlini dhe Parisi besojnë që dialogu në mes të Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel duhet të vazhdojë sa më parë.

You may also read!

Ramiz Kelmendi i tregon LDK’së se si t’i evitojë përleshjet

Kohëve të fundit në Kuvendet Zgjedhore të LDK-së janë shënuar disa incidente. E lidhur me këto ngjarje ka reaguar

Read More...

Haradinaj falënderon Granit Xhakën e Mitot Rashicën për ndeshjen në Stadiumin e Prishtinës

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj është deklaruar për ‘Lojën e Yjeve’ e cila u zhvillua sonte në stadiumin e

Read More...

PDK nesër zgjedh kryetarin, a do të ketë kundërkandidat Kadri Veseli?

Partia Demokratike e Kosovës nesër mban Konventën e nëntë zgjedhore me ç’rast pritet të zgjidhet kryetari i partisë dhe

Read More...

Mobile Sliding Menu