Diçka është qelbur në Shqipëri

In op/ed

                                                                                                                                                                                                                Edmond Tupja


Po, diçka është qelbur e po qelbet keq e më keq në Republikën rrezikshmërisht të rraskapitur të Shqipërisë sonë të shkalafitur.

Të panumërt janë ata të cilët e pohojnë me zë të lartë apo të ulët këtë dukuri të neveritshme që prej tre a katër vjetësh. A nuk e ndieni vallë ju, zonja e zotërinj të nderuar, edhe në këtë çast që po më lexoni?

Sipas një sondazhi modest që kam bërë dhe po e vazhdoj pa rënë në sy prej disa muajsh në kryeqytet, shumica e të intervistuarve thonë, me një siguri që shkon nga 45 deri në 95 për qind, se era e qelbur në fjalë nuk vjen aspak nga kanalizimet e ujërave të zeza, pra, nuk vjen nga nëntoka, jo, absolutisht jo, për çudi, ajo ardhka nga lart, çka e kanë konfirmuar edhe disa ambientalistë seriozë e kompetentë, madje, sipas disa mbrojtësve të kafshëve, vërehet se minjtë e gjirizit nuk po guxojnë më të dalin pa kundërgaz nga vrimat e tyre, sepse asfiksohen thuajse menjëherë nga era e qelbur që u duket sikur vjen nga qielli.

Nga ana tjetër, një shoqatë ambientalistësh, anëtar nderi i së cilës është edhe ish-kolegu e miku im i vjetër Françesk Armadhi, ka vërtetuar që zona ku era e qelbur është më e pranishme, na qenka qendra e kryeqytetit tonë, më saktë zona përreth Kryeministrisë, Kuvendit dhe Bashkisë, sidomos kur titullarët më të lartë të këtyre institucioneve moralisht të paqortueshme gjenden në zyrë dhe, sigurisht, në krye të detyrës që po e kryejnë e po e kruajnë me një vetëmohim madhështor.

Nga ana tjetër, në fundjavë, kur institucionet e sapopërmendura bëjnë pushim, e mistershmja era e qelbur zhduket si me një të rënë të ndonjë magjistari po aq të mistershëm; madje, disa nëpunës modestë të tri institucioneve në fjalë pohojnë, sigurisht duke ruajtur anonimatin, se kur titullarëve të tyre më të lartë u ndodh në të rrallë të dalin nga zyra e të kthehen papritur atje, qoftë edhe pas dy-tri minutash, e mistershmja erë e qelbur i ndjek besnikërisht nga prapa, por, nganjëherë edhe i paraprin.

Çudi e madhe kjo dhe, tani për tani, e pashpjegueshme sipas qeveritarëve tanë dhe shumicës së tyre parlamentare, por fort e shpjegueshme për opozitën, e cila, sipas disa burimeve të brendshme të saj, e organizoi mitingun e djeshëm me qëllim, ndër të tjera, që e mistershmja erë e qelbur të zhdukej jo vetëm nga Tirana, por edhe nga e tërë Shqipëria! Po, po, edhe nga e tërë Shqipëria! Sepse – gjithnjë sipas opozitës – ajo erë e neveritshme është e tillë që, në krahasim me atë, era e kanaleve të ujërave të zeza, edhe para se të bjerë shi, edhe nëse njeriu zhytet kokë e këmbë atje, është parfum e shkuar parfumit më të mrekullueshëm!

Gjithsesi, e vërteta është që shumë pjesëmarrës në protestën e djeshme të opozitën konstatuan se e mistershmja erë e qelbur nuk ishte fare e pranishme në sheshin para Kryeministrisë, çka i detyroi ata të hamendësonin se ajo erë e kishte shoqëruar Kryeministrin përgjatë tërë rrugës deri në Vlorë! Nga ana tjetër, lidhur me pretendimet e disa gazetarëve të guximshëm, sipas të cilëve ajo erë qenka, me shumë gjasë, era e parave të pista, Kryeministri, kryetari i Bashkisë së Tiranës, kryetari i Kuvendit, si edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, nuk e vrasin shumë mendjen, sepse, nën shembullin e vetë Kryeministrit, aparatçikët dhe eksponentët e lartë të kësaj partie mund t’i hedhin poshtë pretendimet në fjalë me një batutë të vetme dhe vetëm një:

“Paratë e pista nuk kanë erë!”, çka është e vërtetë, sidomos pasi janë ricikluar nën rrogoz, por edhe në dritë të diellit! Së fundi, disa agjenci ambientaliste kanë vënë re, pohon Françesk Armadhi, si ambientalist i thekur që është, se era e qelbur që po na e merr frymën këto vitet e fundit, u shfaqka herë pas here edhe në ato shtete të Bashkimit Evropian ku shkojnë delegacione qeveritare apo deputetë të shumicës parlamentare nga vendi ynë, kështu që, pasi e vëzhguan dhe e analizuan erën në fjalë, disa mikrobiologë të shteteve të sapopërmendur po përpiqen të nxjerrin një vaksinë në mënyrë që kalbëzimi i shtetit e i shoqërisë shqiptare të mos i molepsë shtetet dhe shoqëritë e tyre.

Duke u uruar atyre punë të mbarë, le të shpresojmë se kjo vaksinë do t’u bëjë punë, ndonëse mund të ndodhë edhe e kundërta, d.m.th. që vaksina t’ua punojë atyre duke u bërë reaksion dhe që, nisur prej vendeve të tyre, era e qelbur Made in Albania të infektojë mbarë rruzullin tokësor si edhe, largqoftë, tërë planetët e tjerë të sistemit tonë diellor!/Panorama/

You may also read!

Nuk ndalen rrahjet: Tani në një tjetër nëndegë kapen mes veti anëtarët e LDK’së

Rrahjet dhe përplasjet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) nuk kanë të ndalur, tani në një degë tjetër të

Read More...

Më ndryshe se në liri, shikoni si pritet iftari në burgun e Smrekonicës

Posa afron koha e iftarit, kuzhina e Qendrës Korrektuese të Smrekonicës fillon të mbushet. Të burgosurit këtu të cilët

Read More...

PDK më e votuara nga partitë shqiptare në katër komunat e veriut

Zgjedhjet për kryetarin e komunës, në katër komunat e veriut, të mbajtura sot, me kandidatët e saj, Gonxhe Çaushi

Read More...

Mobile Sliding Menu